Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ngritur alarmin për mënyrën se si mazhoranca po tenton të çojë përpara ratifikimin e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, duke pretenduar se opozita nuk është njoftuar zyrtarisht për një seancë plenare që pritet të zhvillohet ditën e nesërme.
Në një reagim zyrtar, PD bën me dije se deri në orën 16:40 nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për zhvillimin e një seance plenare gjatë kësaj jave. Sipas demokratëve, në seancën e datës 19 janar 2026, mazhoranca ka vendosur në mënyrë të njëanshme që kjo javë të mos ketë seancë plenare, ndërsa seanca e radhës është parashikuar për datën 27 janar.
PD thekson se çdo tentativë për të zhvilluar një seancë jashtë këtij kalendari bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit. Sipas nenit 27/1 të Rregullores, deputetët dhe publiku duhet të njoftohen për mbledhjen e seancës plenare dhe rendin e ditës si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë para zhvillimit të saj.
Demokratët e cilësojnë situatën si një shkelje të rëndë të procedurave parlamentare dhe një cenim të parimit të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Ata theksojnë se vendimmarrje të rëndësishme, si ajo për aderimin në Bordin e Paqes, nuk mund të kalojnë në mënyrë të fshehtë apo të përshpejtuar, pa respektuar Kushtetutën dhe rregullat parlamentare.
Sipas PD-së, çdo deputet ka përgjegjësi kushtetuese për mënyrën se si ushtrohet funksioni ligjvënës dhe Kuvendi duhet të jetë shembull i respektimit të ligjit, sidomos në çështje me peshë ndërkombëtare dhe politike.
