Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur procesin gjyqësor për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, të ndodhur më 27 gusht 2019, duke dhënë dënime të rënda për pjesëtarët e grupit kriminal.
Leonard Duka u shpall fajtor si organizator dhe u dënua me 30 vite burg, pas bashkimit të dënimeve për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni (Doça), Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj.
Ndërkohë, Erlis Duka u shpall plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm nga burgu.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e automjeteve dhe sendeve të përdorura në krim, ndërsa të dënuarit do ta vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë. Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve.
Vrasja e Santiago Malkos u konsiderua nga gjykata si pjesë e përplasjes së grupeve kriminale për kontrollin e lojërave të fatit në Tiranë, një nga dosjet më të bujshme të krimit të organizuar të viteve të fundit.
