Kosova në tryezën globale të paqes: Trump fton Prishtinën si anëtare themeluese të Bordit për Gazën

Data

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka pranuar një ftesë personale nga presidenti amerikan Donald Trump për të përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese, përkrah Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera aleate.

Osmani e cilësoi ftesën si një nder të madh dhe një dëshmi të rolit të Kosovës si partnere e besueshme e SHBA-së në ndërtimin e paqes globale. Sipas saj, ky angazhim përfaqëson vazhdimësinë e aleancës strategjike mes Kosovës dhe Amerikës, duke theksuar se SHBA-ja ishte vendimtare për paqen dhe lirinë e Kosovës, ndërsa sot Kosova është e gatshme të kontribuojë për paqen në rajone të tjera të botës.

Bordi i Paqes pritet të ketë rol mbikëqyrës në qeverisjen e përkohshme të Rripit të Gazës, pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Nisma është pjesë e një plani gjithëpërfshirës 20-pikësh, i propozuar nga administrata amerikane, që synon stabilizimin dhe rindërtimin e Gazës nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Në reagimet e saj, Osmani theksoi se udhëheqja e vërtetë ndërton paqen me veprime konkrete dhe jo vetëm me fjalë, duke shtuar se Kosova është gati të marrë përgjegjësi ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë globale.

Përveç Kosovës, ftesa për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes është pranuar edhe nga Shqipëria dhe një sërë vendesh të tjera, ndërsa disa shtete europiane kanë zgjedhur të mos marrin pjesë. Sipas burimeve zyrtare nga presidenca kosovare, nuk është kërkuar asnjë pagesë financiare për anëtarësimin e Kosovës në këtë bord.

Trump pritet të kryesojë vetë Bordin e Paqes, ndërsa në përbërjen e tij përfshihen edhe figura të njohura politike dhe diplomatike ndërkombëtare. Nisma ka nxitur debat global, por për Prishtinën zyrtare, ftesa shihet si një moment historik dhe një hap i rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related