Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej katër protestuesve të vrarë gjatë ngjarjeve të 21 Janarit 2011, ka folur për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku zhvilloi një takim me prokurorin që po heton çështjen.
Ai kërkoi që hetimet të përshpejtohen, duke theksuar se kalimi i kohës po rrit presionin dhe frikën te dëshmitarët. “Kërkojmë që hetimi për 21 Janarin të përshpejtohet. Dëshmitarët janë nën presion dhe frikë,” u shpreh Nika.
Sipas tij, familjarët e viktimave nuk presin drejtësi nga politika apo qeveria, por vetëm nga institucionet e drejtësisë. “Ne nuk kërkojmë drejtësi nga qeveria, por nga SPAK. Kam bindjen se kjo çështje do të mbyllet pozitivisht dhe se gjykata do të dënojë vrasësit, dhunuesit dhe ata që manipuluan çështjen,” deklaroi ai.
Nika theksoi se përgjegjësia për padrejtësinë e deritanishme nis që nga Gjykata e Lartë, e cila sipas tij ka certifikuar një proces gjyqësor të padrejtë, duke lejuar që ngjarja të mbetet pa zbardhje për vite me radhë.
Ai bëri edhe akuza të drejtpërdrejta politike, duke theksuar se përgjegjësia për ngjarjen është e dyfishtë. “Në aspektin e ekzekutimit, fajtor është ai që ka qëlluar. Në planin politik, fajtorë janë Partia Demokratike dhe Sali Berisha,” tha Nika.
Sipas tij, mbeten ende shumë pikëpyetje mbi largimin dhe fshehjen e personave përgjegjës, si dhe mbi manipulimin e provave në fazat e para të hetimit. Ai shtoi se prokurori i çështjes po heton aktualisht procedurat e ndjekura dhe se familjarët shpresojnë që procesi të çojë në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe në vendosjen e drejtësisë përfundimtare për 21 Janarin.
