Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fushë-Krujë, ku një konflikt banal për përparësi në rrugë përfundoi me vdekjen e një 57-vjeçari. Andri Vokrri, 28 vjeç, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Petrit Ndout me çekiç, ka dhënë dëshminë e tij pas rimarrjes në pyetje.
Sipas deklarimeve, i riu ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur, duke pohuar se në momentin e konfliktit ishte nën efektin e alkoolit dhe nuk kishte asnjë qëllim për të vrarë viktimën. Ai ka deklaruar se nuk i kujton qartë momentet e ngjarjes dhe as pasojat e saj.
“Nuk mbaj mend mirë çfarë ka ndodhur. Isha i dehur. Pashë një makinë që më zinte rrugën dhe i kërkova të largohej që të kaloja i pari, sepse mund të bënim aksident. Nuk më dëgjoi, kaluam paralel dhe makinat u fërkuan. Dola dhe e godita me çekiç. Nuk doja ta vrisja”, ka deklaruar 28-vjeçari.
Ndërkohë, dy shokët e tij, të arrestuar për moskallëzim të krimit, kanë pohuar se u larguan menjëherë nga vendngjarja pas incidentit, pasi u frikësuan nga ajo që mund të kishte ndodhur.
Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë penale të të përfshirëve.
