Sistemi “fiket”, E-Albania kthen shërbimet në makth

Data

Mëngjesi i kësaj të marte ka nisur me probleme serioze për biznese dhe qytetarë, pasi portali E-Albania rezulton jashtë funksionit prej orësh, duke bllokuar një sërë shërbimesh bazë. Situata përsëritet për të disatën herë gjatë dy muajve të fundit, duke shtuar frustrimin dhe pasigurinë.

Sipas profesionistëve të fushës, sistemi hapet vetëm pjesërisht dhe më pas ngec, pa lejuar kryerjen e shërbimeve thelbësore. Probleme të mëdha raportohen te moduli “self-care”, përmes të cilit bizneset verifikojnë faturat e blerjes, kryejnë fiskalizimin e importeve apo fiskalizojnë faturat e shitjes pa programe shtesë.

Kontabilistë dhe ekonomistë shprehen se bllokimi i sistemit ndalon automatikisht fiskalizimin, verifikimin e librave dhe kalimin e të dhënave në sistemin tatimor, duke shkaktuar humbje kohe dhe penalitete të mundshme për bizneset. Shumë prej tyre janë detyruar të monitorojnë vazhdimisht nëse sistemi funksionon, pa asnjë njoftim zyrtar apo sqarim.

Problemet nuk kufizohen vetëm te bizneset. Edhe qytetarët po përballen me vështirësi, pasi raportohet se kanë rënë sisteme të tjera të lidhura, përfshirë shërbime si kolaudimi i automjeteve dhe shkarkimi i certifikatave personale. Edhe pse në disa raste lejohet hyrja në llogari, dokumentet nuk shkarkohen.

Prej javësh, në faqe shfaqet një njoftim për mirëmbajtje dhe përmirësim të sistemeve, duke paralajmëruar ndërprerje apo ngadalësime të përkohshme. Megjithatë, kohëzgjatja dhe përsëritja e këtyre problemeve po e kthejnë E-Albania nga një mjet lehtësues në një burim stresi për përdoruesit.

Ndërsa portali ishte konceptuar si një zyrë elektronike me një ndalesë për qytetarët dhe bizneset, realiteti i ditëve të fundit po dëshmon se varësia totale nga sistemi, pa alternativa funksionale, po krijon një situatë problematike dhe të pajustifikuar për të gjithë përdoruesit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related