Partia Socialiste dhe eksponentë e saj të lartë që tanimë njihen edhe si “senatorë”, jovetëm që janë futur në ankth, por nuk e kanë të sigurtë nëse do të zgjidhen apo jo deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama ua bëri të qartë të “vjetërve” se do të duhet ta marrin me meritë mandatin e deputetit. Me pak fjalë ua bëri të qartë se ata me mbi dy mandate do ta gjejnë veten te listat e hapura. Për të mos krijuar debat, Rama theksoi se aty do të garojë dhe vetë, teksa të vetmit që do ta kenë vendin e sigurt janë Taulant Balla dhe Blendi Klosi, pasi do jenë te listat e mbyllura. Por ky vendim vë në rrezik përjashtimin nga Parlamenti të deputetëve me mbi dy mandate, duke përfshirë emra të njohur si Erion Braçe, Ogerta Manastirliu, Evis Kushi, Mirela Kumbaro, Belinda Balluku, Eduart Shalsi, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim brenda Partisë Socialiste, pasi shumë prej këtyre deputetëve kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në legjislaturën e kaluar.
Tensioni lidhet me një vlerësim të ri të performancës dhe nevojën për rinovim brenda partisë, duke i hapur rrugë një gare të ashpër për të siguruar një vend në Parlament. Pra, të gjithë deputetët me dy mandate e sipër do ta shohin veten te listat e hapura. Gazeta “SOT” ka bërë një listë me disa emra, përfshirë dhe vetë Ramën, të cilët kanë 2 e më shumë mandate deputeti dhe që rrezikohen të zgjidhen në legjislaturën e ardhshme nëse nuk marrin shumë vota, duke thyer hersin. Deri më tani mësohet se 203 persona kanë aplikuar në platformën “Deputeti që duam” të ngritur në Partinë Socialiste. kështu që ky interesim ka futur në panik socialistët “VIP”, pasi aplikantët e rinj do të duhet të tregojnë se janë në gjendje të ofrojnë ide të freskëta dhe zgjidhje për sfidat që përballen qytetarët, duke e bërë garën gjithnjë e më të rëndësishme.
Detajet nga aplikimi
Sikundër e theksuam më sipër, 203 persona kanë aplikuar në platformën “Deputeti që duam” të ngritur në Partinë Socialiste. Faza e parë e aplikimeve përmbyllet më 30 shtator dhe synimi është që një pjesë prej tyre të përfshihen në listat e kësaj force politike në zgjedhjet e parlamentare të vitit të ardhshëm. Fundi i shtatorit do të përmbyll fazën e parë, atë të aplikimit në platformën ‘Deputeti që duam’ të ngritur në partinë socialiste. Në një intervistë për mediat dje, drejtuesja e platformës, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tregon mbi interesin që kanë patur kandidatët potencialë për të qenë në listat për deputet në parlamentaret e 2025-ës. “Deri tani ne kemi diku tek 203 aplikime që kanë ardhur. Aplikimet kanë qenë për të gjitha kategoritë që ne kemi përzgjedhur, pra për diasporën, për rininë, për profesionistët, për gratë por edhe tek platforma tjetër që ka qenë e hapur pra deputeti që duam për Shqipërinë. Interesi më i lartë ka qenë nga profesionistët dhe nga rinia”, deklaroi ministrja.
