Kryeministri Edi Rama ka përsëritur zotimin për vendosjen e drejtësisë për ngjarjet e 21 Janarit, ku humbën jetën katër protestues, duke theksuar se kërkesa për drejtësi nuk do të shuhet kurrë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ulërima për drejtësi për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn do të vazhdojë derisa e vërteta të zbardhet plotësisht. Sipas tij, nevoja për drejtësi do të triumfojë patjetër, pavarësisht kohës.
Kryeministri theksoi se qeveria ka mbajtur me dinjitet përgjegjësinë morale dhe politike ndaj kësaj ngjarjeje, duke nënvizuar se nuk e ka tradhtuar zotimin për drejtësi. Ai deklaroi se pavarësimi i drejtësisë nga pushteti politik dhe ngritja e institucioneve si SPAK dhe drejtësia speciale kanë krijuar kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë.
“Ky është fakti dhe këtë nuk e luan topi”, u shpreh Rama, duke insistuar se drejtësia duhet të vijë përmes institucioneve të pavarura dhe jo përmes ndërhyrjeve të qeverisë apo partive politike.
Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e drejtësisë pas 15 vitesh, Rama tha se përgjegjësia nuk duhet kërkuar në godinën e Kryeministrisë, por te institucione të tjera, duke përmendur simbolikisht zonën e Stacionit të Trenit. Ai theksoi se pikërisht nga Kryeministria ka nisur reforma në drejtësi, e cila më pas është konsoliduar në Kuvend dhe në institucionet e reja të drejtësisë.
Sipas Ramës, drejtësia e re që nuk arrin të zbardhë 21 Janarin rrezikon të mbetet po aq e vjetër sa ajo që u la pas, duke e bërë këtë çështje një provë vendimtare për besueshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë.
