Policia ka zbuluar një tjetër rast të kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura në qytetin e Sarandës. Dy apartamente të përshtatura si “shtëpi bari” janë konstatuar në katin e nëntë të një pallati 9-katësh, në lagjen nr. 2, në kryqëzimin e rrugëve “Adem Sheme” dhe “Pandeli Boçari”. Ky është rasti i dytë i tillë i zbuluar në Sarandë brenda këtij muaji.
Gjatë operacionit policor të koduar “Administratori”, u arrestua në flagrancë administratori i pallatit, shtetasi Ermal Bleta, 45 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim katër persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale: Elton Shehu (Bleta), 48 vjeç, Santi Hoxha, 26 vjeç, Taulant Muço, 28 vjeç dhe Amelia Murati, 25 vjeçe. Nën hetim është vendosur edhe bashkëshortja e administratorit, M. B., 45 vjeçe.
Sipas policisë, ambientet ishin përshtatur për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e kanabisit me qëllim shitjen, ndërsa energjia elektrike sigurohej përmes lidhjeve të paligjshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 157 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, rreth 18 kilogramë lëndë narkotike kanabis në gjendje të thatë, si dhe një sasi e madhe pajisjesh elektrike dhe teknologjike, përfshirë 90 llamba me reflektorë, 100 siguresa elektrike, 5 kondicionerë, 15 ventilatorë, 4 filtra ajri, tubo aspirimi dhe 3 aparate celulare.
Administratori i pallatit akuzohet për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, “Kultivimin e bimëve narkotike” dhe “Vjedhjen e energjisë elektrike”, ndërsa policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
