Gjykata Kushtetuese ka reaguar për mos transmetimin live të seancës plenare publike që lidhet me çështjen e rrogave të gjyqtarëve, duke sqaruar se arsyeja ka qenë një problem teknik.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca e parashikuar për datën 20 janar 2026 është ende në zhvillim dhe mungesa e transmetimit nuk ka qenë e qëllimshme. Gjykata bën me dije se problematika teknike është evidentuar më herët dhe vijon të jetë në proces verifikimi, gjë që ka pamundësuar realizimin e transmetimit “live stream”.
Në reagimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e transparencës dhe informimin e publikut, brenda mundësive teknike ekzistuese.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me këtë proces, duke e cilësuar atë si një precedent të rrezikshëm dhe duke ngritur shqetësime për ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë në sistemin e pagave dhe në ndarjen e pushteteve.
