Pas konfirmimit nga Prokuroria e Përgjithshme se gjyqtarja Irena Gjoka rezulton e dënuar në Greqi dhe se ky fakt është fshehur në formularët e vetëdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një shkresë zyrtare SPAK-ut, duke kërkuar hetim të menjëhershëm dhe pa zvarritje.
Në dokumentin e firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se mosdeklarimi i vendimit gjyqësor dhe i urdhrave të dëbimit përbën jo vetëm papajtueshmëri ligjore me funksionin e gjyqtares, por edhe kryerje të përsëritur të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Sipas PD-së, ky rast e vendos gjyqtaren në kushte të qarta papajtueshmërie kushtetuese dhe ligjore, duke cenuar parimin e “gjykatës së caktuar me ligj” dhe duke rrezikuar vlefshmërinë e çdo vendimmarrjeje të saj në Gjykatën e Posaçme. Opozita paralajmëron se kjo situatë mund të sjellë pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë, si dhe kosto financiare për shtetin shqiptar, për shkak të cenimit të sigurisë juridike.
Në shkresë shprehet shqetësim për vonesat e deritanishme në hetim, të cilat, sipas PD-së, dëmtojnë besimin e publikut te drejtësia dhe krijojnë perceptim për standarde të dyfishta. Deputetët e opozitës kërkojnë që SPAK të veprojë brenda një afati të arsyeshëm, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë para ligjit.
Në përfundim, PD thekson se çdo vonesë e mëtejshme në ndjekjen penale apo administrative të këtij rasti do të dëmtojë rëndë interesin publik, integritetin e sistemit gjyqësor dhe interesat financiare të shtetit.
