Një incident i rëndë ka tronditur Jerusalemin, ku 15 fëmijë janë transportuar me urgjencë në spital pas një ekspozimi të dyshuar ndaj një substance të rrezikshme në një çerdhe. Dy prej të miturve ndodhen në gjendje kritike dhe po luftojnë për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Ha-Mag, në lagjen Romema të Jerusalem. Sipas shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore, fëmijët janë ekspozuar ndaj një materiali të dyshuar si i rrezikshëm, i cili ende nuk është identifikuar.
Të miturit janë dërguar për trajtim të specializuar në spital, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra zjarrfikës të pajisur me kostume mbrojtëse speciale për lëndë toksike, me qëllim kontrollin e ambientit dhe eliminimin e çdo rreziku të mundshëm. Banorëve të zonës u është kërkuar të ndjekin udhëzimet e autoriteteve të emergjencës.
Ministria e Arsimit ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur në një çerdhe private, e cila funksiononte brenda një apartamenti dhe nuk ishte e licencuar apo e njohur zyrtarisht nga institucionet shtetërore. Ende nuk dihet nëse do të urdhërohet evakuimi i banorëve përreth.
Autoritetet kanë nisur hetime të plota për të zbuluar shkakun e saktë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore. Situata mbetet në zhvillim dhe priten informacione të reja në vijim.
