Prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në seancën plenare ka ndezur menjëherë Kuvendin, duke e kthyer nisjen e punimeve në një arenë përplasjesh të forta politike. Deputetët e opozitës reaguan ashpër, duke e cilësuar praninë e saj si provokim të hapur dhe sfidë ndaj drejtësisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga foltorja kërkoi me tone të ashpra heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para organeve të drejtësisë. Sipas tij, vendi i zëvendëskryeministres nuk është në sallën e Kuvendit, por përballë drejtësisë për akuzat që rëndojnë mbi të.
“Opozita nuk mund të bëjë sikur nuk sheh elefantin në sallë. Balluku është këtu, kur duhej të ishte duke dhënë llogari para drejtësisë. Hiqjani imunitetin dhe dorëzojani SPAK-ut”, u shpreh Bardhi, mes thirrjeve dhe zhurmës së deputetëve opozitarë.
Deputetët e PD-së bllokuan foltoren, duke ndërprerë vazhdimisht punimet, ndërsa mazhoranca reagoi duke akuzuar opozitën për shkelje të rregullores dhe përpjekje për destabilizim institucional. Klima në sallë u tensionua edhe më tej, me replika të forta dhe akuza reciproke.
Seanca u shndërrua në një përplasje frontale mes mazhorancës dhe opozitës, duke konfirmuar se çështja Balluku do të jetë një nga pikat më të nxehta të këtij sesioni parlamentar dhe se tensionet politike pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
