Një ngjarje e rëndë është shënuar në Shkodër, ku një 16-vjeçare ka ndërruar jetë në spital, dyshohet paraprakisht si pasojë e një arresti kardiak. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e humbjes së saj.
Vajza e mitur, Monika Urtari, ishte nxënëse e gjimnazit privat “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër. Institucioni arsimor ka reaguar publikisht me një mesazh ngushëllimi për familjen, shokët dhe shoqet e saj, duke shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të 16-vjeçares.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme dhe të papritur nga jeta të nxënëses sonë të dashur, Monika Urtari. Nuk gjejmë fjalë që të shprehin trishtimin dhe boshllëkun që kjo humbje ka lënë në shkollën tonë. Në këto momente të vështira jemi pranë familjes me lutje dhe dhimbje të përbashkët. Kujtimi i Monikës do të mbetet gjithmonë i gjallë mes nesh. Pushoftë në paqe”, thuhet në mesazhin e shkollës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shkodran, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet e ndarjes së parakohshme nga jeta të 16-vjeçares.
