Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka mbajtur një qëndrim të ashpër në Konferencën e Kryetarëve, duke e cilësuar periudhën shtator–dhjetor 2025 si muajt më të errët të parlamentarizmit shqiptar.
Sipas tij, gjatë 11 seancave plenare vetëm një ose dy herë është arritur të zhvillohet debat normal parlamentar, ndërsa opozita është përballur me shkelje të rregullores dhe bllokim sistematik të fjalës së lirë.
Gjekmarkaj theksoi se viti 2026 duhet të ketë si prioritet absolut mosmarrjen peng të drejtësisë dhe ndaljen e presionit politik mbi institucionet e pavarura.
“Viti nuk ka nisur mbarë, sepse viti që lamë pas përfundoi keq. Katër muajt e fundit të vitit ishin më të shëmtuarit për parlamentarizmin. Rregullorja u dhunua, opozita u dhunua dhe fjala u mbyll nga frika e skandaleve,” u shpreh ai.
Ai paralajmëroi mazhorancën që të mos tentojë të përdorë drejtësinë si instrument politik.
“Që të kemi një vit të mbarë, drejtësia nuk duhet të merret peng. Mos guxoni. Do ta keni përballë opozitën, në Kuvend dhe në sheshet e Shqipërisë,” deklaroi Gjekmarkaj.
Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR, ai tha se ky raport ka rrëzuar pretendimet e mazhorancës për legjitimitetin e zgjedhjeve të 11 majit dhe shumicën e cilësuar që ajo pretendon.
“U fol për një Shqipëri që nuk ekziston. Qytetarët duan përgjigje për korrupsionin dhe për drejtësinë e marrë peng. Hakmarrja e drejtësisë do të bjerë mbi ju, nga brenda dhe nga jashtë. Këtij realiteti nuk i shmangeni dot,” përfundoi ai.
