Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Policinë e Shtetit, goditi një rrjet call center-ash në Tiranë, të dyshuar për mashtrim ndaj qytetarëve europianë përmes investimeve fiktive në kriptomonedha. Pas aksionit, në disa media qarkulluan pretendime për përfshirje politike, përfshirë emrin e Taulant Ballës, akuza që u mohuan publikisht si prej tij, ashtu edhe nga motra e tij, Alba Balla.
Balla i cilësoi këto lajme si të pavërteta dhe theksoi se përhapja e tyre përbën rrezik për shoqërinë dhe demokracinë. Edhe Alba Balla mohoi kategorikisht çdo lidhje me call center-at, duke deklaruar se nuk ka qenë kurrë në godinat e kontrolluara dhe nuk njeh asnjë nga personat e përfshirë në hetim.
Sipas SPAK, skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave ndaj qytetarëve italianë dhe europianë, të cilëve u premtoheshin fitime të shpejta nga investime në kriptomonedha. Në realitet, paratë transferoheshin në portofole virtuale të kontrolluara nga drejtuesit e aktivitetit kriminal. Call center-at ishin të mirëorganizuar, me staf që fliste disa gjuhë të huaja, role të ndara qartë dhe masa të forta sigurie, përfshirë kamera dhe persona vëzhgimi jashtë ambienteve.
Hetimi nisi më 9 janar 2026, pas materialeve të dorëzuara nga gazetarë italianë të emisionit investigativ “Le Iene”. Sipas SPAK, mbrëmjen e 15 janarit drejtuesit e rrjetit u paralajmëruan për një kontroll të mundshëm dhe gjatë natës boshatisën zyrat në godinën “Atti Tower”, duke larguar pajisjet kompjuterike dhe dokumentet.
Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën në flagrancë gjashtë persona teksa po transportonin pajisje drejt një ambienti tjetër në Bulevardin “Bajram Curri”, ku po tentonin të zhduknin provat. Më pas u ndaluan edhe dy persona të tjerë, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim.
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente të ndryshme – zyra, banesa, automjete dhe garazhe – u sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, laptopë, telefona, karta SIM, dokumente, sisteme kamerash dhe automjete, mes tyre edhe një Ferrari, që dyshohet se i përkiste organizatorëve të aktivitetit kriminal.
SPAK vijon hetimet për analizimin e pajisjeve të sekuestruara, identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe të viktimave të mashtrimit, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
