Partia e Lirisë ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar bilancin 12-vjeçar të pushtetit si një dështim të thellë në arsim, ekonomi dhe menaxhimin e jetesës së qytetarëve. Në një deklaratë publike, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, theksoi se politikat qeveritare jo vetëm që nuk kanë zgjidhur problemet reale, por kanë përshpejtuar shpopullimin e vendit.
Sipas saj, rritja e qirave, pagat e ulëta dhe kostot e papërballueshme të jetesës kanë kthyer studentët dhe të rinjtë në viktima të drejtpërdrejta të keqqeverisjes. Në vend që të adresojë këto probleme, qeveria, sipas PL-së, po ofron zgjidhje të gabuara dhe propagandistike, duke i larguar studentët nga Tirana dhe duke shmangur thelbin e krizës.
Merja nënvizoi se reforma në arsim ka dështuar plotësisht. Universitetet publike kanë humbur besimin, pedagogët paguhen ndër më pakëtit në rajon dhe financimi i arsimit mbetet në fund të listës europiane. Premtimi për rritjen e buxhetit të arsimit nuk u mbajt kurrë, ndërsa shkenca dhe inovacioni vazhdojnë të mbeten pothuajse të pafinancuara.
Sipas Partisë së Lirisë, problemi nuk është mungesa e godinave apo projekteve urbane në letër, por mungesa e perspektivës për të rinjtë. Arsimi nuk lidhet me tregun e punës, çka i shtyn studentët ose drejt papunësisë, ose drejt emigrimit masiv.
