Ftesa e Trump për “Bordin e Paqes”/ Shehu: Shqipëria të ndjekë politikat e SHBA-së, Rama po e personalizon pa të drejtë

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar lidhur me ftesën që kryeministri Edi Rama ka marrë nga presidenti amerikan Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë si shtet anëtar themelues në nismën ndërkombëtare të quajtur “Bordi i Paqes”.

Shehu e vlerëson këtë zhvillim si pozitiv dhe si një vazhdim të fazës së dytë të planit amerikan për Gazën, duke theksuar se Shqipëria ka qenë dhe duhet të mbetet në mbështetje të plotë të politikave të Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme.

Sipas tij, ftesa për Shqipërinë nuk lidhet me role personale apo “super-pozicione” të kryeministrit, por me profilin gjeopolitik të vendit: shtet anëtar i NATO-s, pa konflikte historike në Lindjen e Mesme, me marrëdhënie të mira si me Izraelin ashtu edhe me vendet arabe, si dhe me harmoni të brendshme fetare.

Shehu kritikon Ramën për, sipas tij, përpjekjet për ta personalizuar këtë ftesë, duke theksuar se teksti i saj është standard dhe identik me atë që u është dërguar edhe vendeve të tjera. Ai shton se Shqipëria ka të drejtë të përfaqësohet në Bord përmes një përfaqësuesi zyrtar dhe jo domosdoshmërisht nga kryeministri.

Deputeti demokrat nënvizon se vendimmarrja reale do të bëhet nga Bordi Ekzekutiv, i përbërë nga figura të larta amerikane dhe ndërkombëtare, ndërsa roli i vendeve anëtare themeluese është mbështetës dhe politik.

Në përfundim, Shehu thekson se Shqipëria duhet të ndjekë ngushtësisht politikat e SHBA-së për Lindjen e Mesme dhe të shmangë përdorimin e kësaj nisme për propagandë apo përfitime personale politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related