Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ajo që njihet publikisht si “dosja Balluku” është në thelb “dosja Rama”.
Sipas Berishës, nga rreth 6 mijë mesazhe që përmban dosja në fjalë, shumica dërrmuese lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin, të cilin ai e quajti me epitetin “Palloshi i gjatë”. Ai shtoi se në shumë raste, vetë mesazhet përbëjnë akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës.
Berisha e cilësoi edhe më të rëndë dosjen e AKSHI-t, duke e quajtur një dosje kriminale të nivelit më të lartë. Sipas tij, Ergys Agasi, i cilësuar si ish-koordinator i Ramës për bandat dhe kartelet e drogës, ka pasur rol kyç në kontrollin e të dhënave personale.
“Me urdhër të Edi Ramës, Agasi ka kontrolluar çdo të dhënë private, çdo telefon, çdo email të kujtdo që Rama ka kërkuar – shqiptar apo i huaj”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo është bërë përmes metodave mafioze dhe shantazhit, veçanërisht në procedurat e tenderëve publikë.
Sipas tij, tenderët e AKSHI-t janë përdorur për të kanalizuar qindra miliona euro drejt interesave familjare të kryeministrit, përmes personave të afërt dhe kompanive fasadë. Berisha përmendi edhe pretendime për fitime deri në 98%, pa asnjë punë reale, blerje apo shërbim të kryer, por vetëm transferta direkte nga thesari i shtetit në llogari private.
Ai përmendi gjithashtu raste të tjera që, sipas tij, kanë tronditur opinionin publik, si inceneratori i Tiranës, për të cilin u paguan rreth 130 milionë euro, ndërkohë që objekti real nuk ekziston. Në të njëjtën linjë, Berisha përmendi edhe tenderë të tjerë të dyshuar, përfshirë një kontratë prej 75 milionë eurosh për inteligjencën artificiale, të cilën e quajti “trillim fund e krye”.
Në përfundim, Berisha theksoi se në këto rrethana vendimtare mbetet fjala dhe reagimi i qytetarëve, duke e cilësuar angazhimin qytetar si të vetmen rrugë për, sipas tij, “shpëtimin nga regjimi aktual”.
