Mediat belge kanë zbardhur detaje të reja tronditëse nga gjyqi për vrasjen e shqiptarit Ardit Spahiu, i ekzekutuar në nëntor të vitit 2020 në zonën Sint-Jans-Molenbeek të Brukselit. Sipas hetuesve belgë, bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar me profesionalizëm, e urdhëruar nga jashtë Belgjikës, konkretisht nga Dubai.
Gazeta belge raporton se prokuroria federale ka deklaruar para Gjykatës së Krimeve të Rënda se Spahiu nuk u vra pas një konflikti të rastësishëm, por “sepse kështu ishte vendosur”. Hetuesit theksojnë se ekzekutimi mban të gjitha shenjat e një atentati të organizuar nga struktura kriminale.
Ekzekutim i pastër mafioz
Ngjarja ndodhi më 27 nëntor 2020, rreth orës 17:50. Spahiu ndodhej në makinë me një mik të tij, kur një automjet i bardhë u doli përpara dhe ua bllokoi rrugën. Sapo viktima doli nga makina, një nga autorët hapi zjarr, ndërsa një tjetër, i maskuar, mbajti nën kërcënim shokun e tij me armë me silenciator.
Mjeku ligjor konstatoi 18 plagë nga armë zjarri në trupin e Spahiut. Pranë vendit të ngjarjes u gjetën 17 gëzhoja, çka përforcon versionin e një ekzekutimi të mirëorganizuar.
Urdhrat nga Dubai
Sipas prokurorisë, dy të dyshuarit kryesorë, mes tyre Franc Çopja, nuk ndodheshin në Belgjikë në momentin e vrasjes. Ata dyshohet se kanë dhënë urdhrin nga Dubai, duke komunikuar përmes aplikacioneve të koduara.
Hetimet tregojnë se urdhëruesit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me ekzekutorët dhe informatorët në Bruksel, të cilët dyshohet se kanë dhënë informacion për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës.
Dëshmitarë që tërhiqen dhe presione në burg
Një nga personat e konsideruar si informator nga prokuroria është tërhequr nga deklaratat e dhëna më herët, duke pretenduar se është vënë nën presion gjatë qëndrimit në burg për të rrëfyer përfshirjen e tij. Ky element ka shtuar tensionet në procesin gjyqësor, por prokuroria vijon të mbështetet në prova teknike dhe komunikime të enkriptuara.
E shkuara kriminale e viktimës
Sipas hetimeve, Ardit Spahiu ishte i përfshirë në trafik droge, konkretisht në tregtinë e kokainës dhe kanabisit në Belgjikë. Ai ishte larguar nga Shqipëria që prej vitit 2019, nga frika për jetën e tij.
Hetuesit theksojnë se vrasja lidhet drejtpërdrejt me aktivitetet kriminale të viktimës dhe konfliktet brenda botës së krimit.
Procesi gjyqësor vijon në Belgjikë, ndërsa autoritetet e konsiderojnë çështjen si një nga rastet më të rënda të kriminalitetit të organizuar me urdhra ndërkombëtarë.
