Ish-deputeti Dashamir Shehi ka ngritur alarmin për mesazhet politike të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar si të rrezikshme dhe të ngjashme me praktikat e errëta të së kaluarës. Në një intervistë televizive, Shehi komentoi fjalimin e Ramës para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të mbajtur në Pallatin e Brigadave, duke theksuar se aty u lëshua një sinjal i gabuar në raport me aleatët perëndimorë.
Sipas Shehit, Rama ka tentuar të përcjellë idenë se nëse Perëndimi nuk e mbështet më, Shqipëria ka alternativa të tjera, përfshirë Kinën. Ai e krahasoi këtë qasje me politikën e ndjekur nga Enver Hoxha, i cili lëvizte nga një aleancë në tjetrën – Jugosllavi, Bashkimi Sovjetik, Kina – në varësi të interesave të momentit. Shehi theksoi se Shqipëria nuk ka peshë gjeopolitike për të luajtur me balancat ndërkombëtare dhe se një retorikë e tillë është e rrezikshme për të ardhmen europiane të vendit.
Ish-deputeti shtoi se Rama përpiqet të krijojë perceptimin se kontrollon mbështetjen ndërkombëtare dhe se përmes tij mbahet pushteti në këmbë, por sipas Shehit kjo është një iluzion. Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për të fshehur dobësinë politike në një moment presioni dhe pasigurie për mazhorancën.
Në analizën e tij, Shehi u ndal edhe te simbolika e vendit ku u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar. Sipas tij, Pallati i Brigadave është një hapësirë publike dhe simbol i shtetit, jo i një partie politike. Zgjedhja e këtij ambienti, tha ai, kishte për qëllim t’u heqë frikën deputetëve socialistë dhe t’u japë një ndjesi force dhe kontrolli.
Sipas Shehit, mesazhi i Ramës për deputetët ishte i qartë: “pushteti jemi ne, mos u trembni”. Një përpjekje për të konsoliduar radhët dhe për të mbajtur nën kontroll mazhorancën në një moment kur qeveria përballet me trysni të forta politike dhe institucionale.
