Prej 41 ditësh i vendosur përballë Kryeministrisë, Adriatik Lapaj ka rritur tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit “e ka macin në barkë” përballë qëndresës qytetare. Nga sheshi, Lapaj ka bërë thirrje për një protestë masive mbrëmjen e nesërme, në orën 18:00, me synimin për të imponuar krijimin e një qeverie tranzitore.
Sipas tij, protesta duhet të jetë paqësore dhe e mbështetur te qëndresa, jo te dhuna. Lapaj ftoi qytetarët të dalin masivisht, bashkë me familjet e tyre, për të treguar se shoqëria nuk është dakord me korrupsionin dhe hajdutërinë. Ai theksoi se forca e protestës qëndron te mesazhi dhe shembulli, duke nënvizuar se gjatë pesë javëve nuk është dëmtuar asgjë në shesh.
Lapaj u shpreh se protesta e tij është ndër më të sulmuarat e viteve të fundit, duke përmendur dhjetëra procedime ndaj protestuesve. Megjithatë, ai tha se kjo nuk e ka ndalur lëvizjen, përkundrazi e ka forcuar bindjen se vendi ka nevojë për ndryshim rrënjësor.
Qëllimi final, sipas tij, është një qeveri tranzitore 12-mujore, e përbërë nga intelektualë dhe jo nga parti politike, e cila të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa presion, pa manipulim dhe pa përdorimin e institucioneve shtetërore për interesa politike.
