Hetimet ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kanë hyrë në një fazë më të thellë pas mbërritjes së një letër-porosie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtuar dyshimet ndaj tij, duke administruar prova të reja financiare që, sipas prokurorëve, tregojnë përfitime të paligjshme.
SPAK pretendon se ka identifikuar një shumë shtesë prej rreth 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara përmes lobimit, e cila i shtohet shumës fillestare prej afro 246 mijë dollarësh për të cilat Meta akuzohej më herët. Këto shifra u përdorën si argument për të mos ndryshuar masën e sigurisë në seancën e 5 janarit në Gjykatën e Posaçme.
Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një kontratë konsulence me kompaninë GSIS, ndërsa mënyra e transferimit të parave ngre dyshime serioze edhe për pastrim të produkteve të veprës penale. SPAK e konsideron shumën e re jo vetëm përfitim të paligjshëm, por edhe element të rëndësishëm në skemën e dyshuar financiare.
Nga ana tjetër, Ilir Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që ai të ketë shkelur ligjin shqiptar apo amerikan. Ai ka theksuar se letër-porositë nga jashtë, sipas tij, nuk kanë pasur për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por mjegullimin e saj. Hetimet vijojnë, ndërsa çështja mbetet një nga dosjet më të forta të SPAK ndaj figurave të larta politike.
