Pamje të rënda kanë dalë në dritë nga aksidenti fatal i ndodhur mbrëmjen e kaluar te Ura e Dajlanit në Durrës, ku një vajzë vetëm 18 vjeçe humbi jetën, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti që vinte nga degëzimi drejt zonës së plazhit është përplasur fillimisht me bordurat ndarëse të rrugës. Forca e goditjes ka qenë aq e madhe, sa makina ka dalë nga mbikalimi dhe ka “fluturuar” rreth 50 metra, duke rënë në rrugën poshtë.
Mjeti ka përfunduar brenda një dyqani lulesh, duke shkaktuar shkatërrim të plotë të automjetit dhe dëme të konsiderueshme materiale. Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë dhunën e përplasjes dhe përmasat e tragjedisë.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka ndërruar jetë, ndërsa shoferi i mjetit dhe dy këmbësorë janë plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pamjet e siguruara pritet të jenë kyçe për rikonstruksionin e plotë të ngjarjes. Tragjedia ka tronditur banorët e zonës dhe ka rikthyer shqetësimin për sigurinë rrugore në këtë segment problematik.
