Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka sqaruar vendimin e fundit të Departamentit të Shtetit, duke theksuar se ai nuk prek vizat turistike, të biznesit apo vizitat private, por vetëm aplikimet për viza emigrimi të përhershëm.
Sqarimi i ambasadës i ka dhënë fund spekulimeve të përhapura gjatë 24 orëve të fundit, kryesisht nga qarqe opozitare dhe disa portale, të cilat pretendonin se bëhej fjalë për një pezullim të përgjithshëm të vizave si formë ndëshkimi ndaj Shqipërisë.
Më herët kishte reaguar edhe ministrja e Jashtme, duke theksuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së mbeten të qëndrueshme dhe se dy vendet vazhdojnë të jenë aleate strategjike.
Vendimi është komentuar edhe nga analisti Skënder Minxhozi, i cili e cilësoi masën si një vendim global, pa lidhje me Shqipërinë si shtet apo me qytetarët shqiptarë në veçanti.
Sipas Minxhozit, vendimi prek një numër shumë të madh vendesh dhe lidhet me politikën e brendshme amerikane për menaxhimin e flukseve të azilkërkuesve dhe kostot ekonomike që ato sjellin për SHBA-në.
“Ky vendim ka prekur rreth 40% të vendeve anëtare të OKB-së. Nuk ka të bëjë as me Shqipërinë si shtet, as me shqiptarët si komb. Ka të bëjë me konceptin që Amerika e sotme ka për azilin dhe emigracionin. SHBA po vendos rregulla më të forta për procese që kanë pasoja ekonomike për vetë shtetin amerikan. Është një vendim global, jo dypalësh,” u shpreh ai.
Autoritetet theksojnë se qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së për turizëm, biznes apo arsye familjare nuk preken nga ky vendim dhe procedurat për këto kategori vizash vijojnë normalisht.
