“Po na ndalet trajtimi, jo sëmundja” – Pacientët me kancer 3 ditë pa rreze, apel urgjent për ndërhyrje

Data

Prej tre ditësh, pacientët me kancer në spitalin Onkologjik janë lënë pa trajtimin jetik të radioterapisë, për shkak të mosfunksionimit të dy pajisjeve të vetme që shërbejnë për rrezet.

Sipas burimeve, njëri prej akseleratorëve është bllokuar për shkak të një defekti në derën e bunkerëve mbrojtës, ndërsa pajisja tjetër ka probleme serioze teknike. Si pasojë, rreth 100 pacientë në ditë nuk po marrin trajtimin sipas protokollit mjekësor.

Pacientët shprehen të dëshpëruar dhe të lodhur fizikisht e psikologjikisht, duke theksuar se ndërprerja e rrezeve rrezikon drejtpërdrejt jetën e tyre.

“Vij çdo ditë dhe më thonë aparati nuk punon. Paguan transport, lodhesh, dhe në fund kthehesh në shtëpi pa bërë trajtim. Ne nuk po luftojmë për komoditet, por për jetën,” shprehet një paciente.

Një tjetër pacient, që udhëton çdo ditë nga veriu i vendit, thotë se ndërprerja e rrezeve po e kthen betejën me kancerin në një pritje të rrezikshme:

“Na thonë ‘prit edhe sot’. Por sëmundja nuk pret. Çdo ditë pa trajtim është një hap pas.”

Pacientët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje të menjëhershme, duke kërkuar funksionimin normal të pajisjeve ose zgjidhje alternative emergjente.

“Ne jemi njerëz që po luftojmë për të jetuar. Nuk kërkojmë luks, kërkojmë vetëm të mos na ndalet trajtimi,” është apeli i tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related