Alarm në Mat/ Liqeni i Ulzës në nivel kritik, përmbytet kabina elektrike dhe rrezikohen banorët e Urakës

Data

Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës gjatë ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet në basenin ujor të liqenit të Ulzës, duke bërë që niveli i ujit të arrijë pikën maksimale pranë digës së hidrocentralit.

Si pasojë e rritjes së nivelit, në fshatin Urakë të Matit është përmbytur një kabinë elektrike, e vendosur në zonë prej dekadash. Pamjet nga terreni tregojnë se gjysma e kabinës ndodhet nën ujë, ndërsa banorët shprehen se gjatë ditëve me reshje intensive niveli ka qenë edhe më i lartë.

Situata konsiderohet veçanërisht e rrezikshme, pasi kontakti i ujit me instalimet elektrike përbën kërcënim serioz për jetën e banorëve. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për shmangien e ndonjë aksidenti të mundshëm.

Përveç kabinës elektrike, përmbytjet kanë prekur edhe tokat bujqësore në fshatrat Urakë dhe Rukaj. Fryrja e liqenit ka rritur nivelin e ujit në zonat e njohura si zalli i “Kurvajës” dhe i “Tharbnit”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi.

Vërshimet nga zalli i “Tharbnit” kanë dëmtuar gjithashtu rezervatet e peshkimit dhe kanë vënë në rrezik disa banesa pranë zonës. Banorët shprehen se situata po përkeqësohet dhe se frika nga përmbytje të mëtejshme mbetet e lartë.

Sipas tyre, rritja e nivelit të liqenit në këto kuota lidhet me ndryshimet e bëra disa vite më parë në portat shkarkuese të digës. Ata akuzojnë kompaninë koncesionare se nuk ka marrë parasysh pasojat për komunitetin dhe se ka injoruar kërkesat e vazhdueshme për të mos lejuar mbajtjen e ujit në nivel maksimal.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të ulur nivelin e liqenit dhe për të parandaluar rrezikun për jetën, banesat dhe aktivitetin bujqësor në zonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related