Ndërsa kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjale publike për afrimin e Tiranës me Kinën Popullore, nga Uashingtoni vjen një vendim që rëndon drejtpërdrejt mbi shqiptarët. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka vendosur të pezullojë përpunimin e vizave imigruese për 75 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova, duke izoluar praktikisht emigrimin drejt SHBA-së për një afat të pacaktuar.
Vendimi hyn në fuqi më 21 janar dhe prek kategoritë: bashkim familjar, punësim, birësim, emigrantë specialë dhe lotarinë e vizave. Vizat turistike dhe studentore nuk preken. Sipas një memoje të brendshme të DASH, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet e personave që vlerësohen si të rrezikshëm për t’u kthyer në “barrë publike”.
Zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott, deklaroi se masa synon të ndalojë hyrjen e emigrantëve që mund të mbështeten në përfitime sociale dhe se përjashtimet do të jenë “shumë të kufizuara”. Vlerësimi do të bazohet në faktorë si shëndeti, mosha, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Vendimi vjen në një klimë politike të tensionuar, ku presidenti Donald Trump ka rikthyer qasjen e fortë ndaj imigracionit. Dispozita e “barrës publike”, e zgjeruar gjatë mandatit të tij të parë, po aplikohet sërish gjerësisht, pas kufizimeve që kishte vendosur administrata Biden.
Lista e vendeve të prekura është e gjerë dhe përfshin, mes të tjerash, Shqipërinë, Kosovën, Brazilin, Egjiptin, Nigerinë, Tajlandën, Iranin, Irakun, Afganistanin dhe Rusinë. Për Shqipërinë, ky është një sinjal politik dhe praktik me pasoja të drejtpërdrejta për mijëra familje që kishin projekte emigrimi drejt SHBA-së.
Në Tiranë, vendimi shihet si goditje e rëndë në një moment kur kryeministri ka artikuluar publikisht interesin për bashkëpunim me Kinën, duke ngritur pikëpyetje mbi balancat gjeopolitike dhe koston reale për qytetarët shqiptarë.
