Takimet e zyrtarëve amerikanë në Kuvend / Osmani: Uashingtoni sheh me vëmendje problemet me drejtësinë, ka shqetësime

Data

Takimet e zhvilluara së fundmi mes zyrtarëve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe drejtuesve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë ngjallur interes dhe diskutime në skenën politike shqiptare.

Pedagogu Afrim Osmani, i ftuar në një studio televizive, analizoi domethënien politike të këtyre kontakteve, duke theksuar se SHBA ka një njohje të thellë të realitetit shqiptar dhe mënyrës se si funksionojnë institucionet dhe proceset politike në vend.

Sipas Osmanit, Uashingtoni e njeh mirë se çfarë prodhon një proces politik konfliktual dhe është i vetëdijshëm për ndikimin që korrupsioni ka në deformimin e sistemit demokratik. “Ata e dinë çfarë është korrupsioni dhe si ai shtrembëron funksionimin normal të shtetit,” u shpreh ai.

Osmani theksoi se në një demokraci funksionale, palët politike duhet të sillen si kundërshtarë dhe jo si armiq. “Kur e sheh tjetrin si armik, synimi bëhet eliminimi i tij. Fatkeqësisht, kjo është mënyra se si bëhet politika në Shqipëri,” tha ai, duke shtuar se konkurrenca politike duhet të jetë thelbi i demokracisë.

Duke folur për interesin amerikan ndaj Shqipërisë, Osmani nënvizoi se vendi ka një rëndësi të veçantë gjeopolitike për SHBA. “Shqipëria është një vend evropian me pozicion strategjik dhe për këtë arsye ekziston një vëmendje e vazhdueshme nga Uashingtoni,” u shpreh ai.

Sipas tij, SHBA është e aftë të dallojë qartë kur proceset institucionale nuk funksionojnë siç duhet, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. “Kur imunitetet nuk hiqen dhe kur SPAK ka kaq shumë çështje të hapura, kjo tregon realitetin e situatës. Sot SPAK shihet si heroi i ditës në Shqipëri,” deklaroi Osmani.

Ai theksoi se shqetësimet e SHBA nuk janë të njëanshme, por përfshijnë të gjithë spektrin politik. “SHBA e ka problemin me të dyja palët,” tha Osmani, duke nënvizuar se mesazhi i Uashingtonit lidhet me nevojën për procese të rregullta demokratike, konkurrencë politike reale dhe funksionim të shtetit të së drejtës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related