Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u paraqit këtë të enjte në GJKKO në lidhje me çështjen e njohur si dosja “Gërdeci”. Seanca zgjati rreth katër orë, ndërsa gjykata vendosi shtyrjen e saj, duke caktuar datën 22 janar për seancën e radhës.
Pas përfundimit të seancës, Mediu deklaroi se gjatë shqyrtimit ka lexuar dëshmi të marra prej tij nga personalitete të larta ushtarake të huaja të asaj kohe. Ai theksoi se këto dëshmi janë dhënë nën betim, por sipas tij, Prokuroria i konsideron ato të pavlefshme.
“Gjykata do të shprehet. Departamenti i Drejtësisë ka bërë vlerësimin e shkaqeve të shpërthimit të Gërdecit. Ne kemi kërkuar që ekspertët të thirren, por Prokuroria nuk e ka pranuar këtë kërkesë. Ata janë shprehur të gatshëm të pyeten, por kërkojnë që procedura të ndiqet në mënyrë ligjore përmes Gjykatës dhe Ministrisë së Drejtësisë”, u shpreh Mediu.
Gjyqi për dosjen “Gërdeci” vijon, ndërsa pritet që në seancën e ardhshme gjykata të shqyrtojë kërkesat e palëve dhe hapat e mëtejshëm të procesit.
