Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me drejtuesit politikë dhe koordinatorët e strukturave të opozitës.
Në fokus të diskutimeve ka qenë organizimi i protestës kombëtare të paralajmëruar për datën 24 janar, si dhe angazhimi i strukturave të Partisë Demokratike në të gjithë vendin për mobilizimin e qytetarëve.
Vendimi për zhvillimin e protestës është marrë disa ditë më parë, ndërsa Berisha ka përsëritur thirrjet publike për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën si një reagim qytetar kundër qeverisë dhe për kërkesën e largimit të saj.
Takimi është përqendruar gjithashtu në koordinimin e veprimeve politike në ditët në vijim dhe në përgatitjet organizative për protestën e paralajmëruar.
