Analisti Ilir Demalia ka ngritur akuza të rënda publike, duke kërkuar që drejtësia shqiptare të zbardhë një nga kapitujt më të errët të tranzicionit politik. Në një reagim të fortë, i shoqëruar edhe me pamje nga terreni, Demalia identifikon zonën Kune–Vain në Lezhë si një kamp torture të ngritur nga shteti shqiptar gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike.
Sipas tij, në këtë zonë ka funksionuar një strukturë e fshehtë e SHIK-ut, e drejtuar nga Bashkim Gazidede, e cila – nën urdhrat politikë të Sali Berishës – u shndërrua në polici politike, duke rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur kundërshtarë politikë.
Demalia e përshkruan Kune–Vainin si “varre pa kryq” të krimit shtetëror, duke theksuar se rrënojat e godinave të shkatërruara nuk janë thjesht objekte të braktisura, por dëshmi të një mekanizmi represiv të ndërtuar nga vetë shteti.
Rasti Remzi Hoxha
Në qendër të akuzave qëndron zhdukja e Remzi Hoxhës, një krim që, sipas Demalisë, mbetet ende i pazbardhur për shkak të mbrojtjes politike dhe dështimit të drejtësisë. Ai pretendon se Hoxha u rrëmbye, u torturua dhe u zhduk pikërisht në këtë zonë, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur as sot.
Sipas rrëfimit, zhdukja e Remzi Hoxhës nuk ishte akt i rastësishëm apo veprim individual, por një krim i qëllimshëm shtetëror. Demalia pretendon se Hoxha konsiderohej dëshmitar kyç i një takimi sekret të zhvilluar në Maqedoni mes përfaqësuesve të regjimit të Slobodan Millosheviçit, një agjenti rus dhe një figure të identifikuar si “Legenda”, ku sipas tij përfshihej edhe Sali Berisha.
Akuza për mbulim dhe heshtje institucionale
Demalia thekson se, edhe kur instanca ndërkombëtare kanë konstatuar mangësi serioze në hetime dhe përgjegjësi shtetërore, Shqipëria ka zgjedhur heshtjen dhe amnistimin e autorëve.
“Një shtet që fsheh kufoma, mbron torturuesit dhe ndërton karriera politike mbi krimin, nuk mund të quhet demokraci”, shprehet ai, duke e cilësuar sistemin si një regjim të kalbur nga brenda.
A do të rihapet dosja?
Sipas informacioneve të publikuara, familjarët e Remzi Hoxhës kanë autorizuar avokatin Idajet Beqiri për të kërkuar rihapjen e çështjes. Avokati ka bërë të ditur se po përgatitet një kallëzim penal i ri, ndërsa janë duke u mbledhur prova dhe dëshmi që, sipas tij, mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në fokus të këtij procesi pritet të jenë dëshmi të reja, përfshirë ato të ish-eksponentëve të SHIK-ut dhe personave që, sipas pretendimeve, kanë qenë të kërcënuar ose të heshtur për vite me radhë.
Apel për drejtësi
Në përfundim, Demalia shprehet se pa zbardhjen e krimeve shtetërore dhe pa dënimin e urdhëruesve, Shqipëria nuk mund të ketë një demokraci reale.
“Pa drejtësi për të shkuarën, nuk ka as të tashme dhe as të ardhme”, thekson ai, duke e konsideruar zbardhjen e dosjes së Remzi Hoxhës një provë themelore për shtetin e së drejtës.
