“Qytetarët po braktisen nga qeveria” / Baçi: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka akuzuar qeverinë për braktisje të qytetarëve të prekur nga përmbytjet dhe ka kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Sipas Baçit, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Sipërfaqe të tëra me grurë, elb dhe foragjere janë shkatërruar, ndërsa janë raportuar dëme serioze edhe në banesa, orendi shtëpiake, bagëti të imta dhe gjedh. Ai thekson se shumë zona vijojnë ende të jenë nën ujë dhe dëmet po rriten nga dita në ditë.

Deputeti bën me dije se lumi Vjosë ka përmbytur disa fshatra, mes tyre Ferrasi, Çerveni, Martine, Frakull, Varibob dhe Boçovë. Ndërkohë, lumi Seman, pas hapjes së portave të hidrocentralit të Banjës, ka dalë nga shtrati duke përmbytur zona nga Belina deri në Daullas, Mujalli, Ndernenas dhe Asturkas, duke mbuluar toka bujqësore, sera dhe stalla bagëtish.

Baçi akuzon qeverinë se po refuzon të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe se nuk po zbaton ligjin për kompensimin dhe dëmshpërblimin e qytetarëve të prekur në Fier, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe zona të tjera të vendit. Ai shton se procesi i verifikimit të dëmeve po shoqërohet me abuzime, duke u kryer në mënyrë selektive dhe politike.

Sipas tij, shumë qytetarë po denoncojnë padrejtësitë, por shpeshherë në mënyrë anonime nga frika e hakmarrjes. Në përfundim, Baçi u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi, duke garantuar se Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të tyre për çdo shqetësim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related