Qeveria shqiptare nuk pritet të kompensojë realisht familjet e prekura nga përmbytjet e fundit, të cilat sipas vlerësimeve paraprake kanë shkaktuar dëme në vlera qindra milionë euro. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria ka parashikuar vetëm 500 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro, për kompensimin e qytetarëve të dëmtuar.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta, pasi shuma e akorduar konsiderohet minimale dhe simbolike përballë përmasave të dëmeve, të cilat lidhen jo vetëm me reshjet intensive, por edhe me problematikat e përsëritura të infrastrukturës dhe mungesën e masave parandaluese.
Në deklarimin e tij, Rama thekson se fondet e mbrojtjes civile kanë për qëllim rritjen e sigurisë ndaj fatkeqësive natyrore, garantimin e kompensimit për qytetarët dhe forcimin e masave parandaluese. Megjithatë, ndarja konkrete e fondeve tregon një disproporcion të theksuar mes dëmeve reale dhe mbështetjes financiare të ofruar.
Sipas njoftimit zyrtar, fondet e planifikuara janë:
- 1.5 miliardë lekë për projekte të parandalimit të fatkeqësive natyrore
- 300 milionë lekë për digat dhe rezervuarët
- 1 miliardë lekë transfertë e kushtëzuar
- 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur
- 500 milionë lekë për investime
Në total, vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre fondeve shkon drejtpërdrejt për dëmshpërblimin e familjeve që kanë humbur shtëpi, prona dhe mjete jetese.
Kritikët e qeverisë e cilësojnë këtë vendim si një “tallje” me qytetarët e prekur, duke theksuar se përmbytjet janë pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit, projekteve infrastrukturore të dobëta dhe mungesës së kontrollit, ndërsa barra financiare po u lihet sërish familjeve.
