Gazetari Bledian Koka ka deklaruar se skena politike shqiptare po përjeton një përmbysje rolesh në raport me reformën në drejtësi dhe SPAK-un. Sipas tij, kryeministri Edi Rama po shfaqet gjithnjë e më kritik ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa kreu i opozitës, Sali Berisha, ka zbutur ndjeshëm qëndrimin e tij.
Koka u ndal te deklaratat e fundit të Ramës për rishikimin e reformës në drejtësi, duke përmendur kalimin nga modeli amerikan te ai francez, çka sipas gazetarit përbën një sinjal të qartë përplasjeje mes qeverisë dhe drejtësisë.
“Berisha e ka latuar gjuhën ndaj SPAK-ut. Ai ka ndarë konfliktin personal me Altin Dumanin nga qëndrimi ndaj institucionit dhe sot shfaqet më pranë mbështetjes së drejtësisë”, u shpreh Koka.
Sipas tij, momenti kyç në këtë ndryshim klimatik ka qenë marrja nën akuzë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila shënon ndarjen mes dy fazave të veprimit të SPAK-ut: një fazë më të kujdesshme dhe një tjetër më agresive ndaj pushtetit.
Gazetari komentoi gjithashtu paraqitjen e deputetit Belind Këlliçi në SPAK, duke sqaruar se bëhet fjalë për një procedurë të hershme verifikimi lidhur me falsifikim vulash dhe shpenzimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, çështje që sipas tij pritet të mbyllet pa pasoja penale.
Në përfundim, Koka ngriti pyetjen kryesore të debatit politik aktual:
A ndodhet sot kryeministri Rama në një konflikt të hapur jo vetëm me SPAK-un, por edhe me interesat amerikane në Shqipëri?
“Kjo përplasje tashmë është e dukshme. Qytetarët po shohin qartë kush është kundër reformës në drejtësi dhe kush përfiton prej saj”, përfundoi ai.
