E rëndë/ Elefanti vret 20 persona, mes tyre një baba me dy fëmijët e mitur

Data

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve nga një elefant i egër i vetëm në Indinë lindore, brenda një periudhe prej nëntë ditësh, kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Kafsha ende nuk është kapur.

Ngjarjet e rënda janë regjistruar nga Dita e Vitit të Ri deri më 9 janar në zonat pyjore Chaibasa dhe Kolhan të shtetit Jharkhand. Shumica e viktimave janë sulmuar gjatë natës, në momentin kur fshatarët po ruanin të mbjellat e orizit në ara ose pranë depove, një praktikë e zakonshme në zonat rurale të Indisë.

Sipas autoriteteve, një burrë 34-vjeçar u vra pranë banesës së tij ndërsa kthehej nga puna, ndërsa një tjetër 42-vjeçar u shkel për vdekje teksa flinte jashtë shtëpisë.

Rasti më tragjik u shënua më 5 janar, kur elefanti vrau një baba dhe dy djemtë e tij, të moshës 6 dhe 8 vjeç. Bashkëshortja e tij dhe vajza 2-vjeçare arritën të shpëtojnë, megjithëse fëmija i vogël mbeti i plagosur. Gruaja mësoi më vonë se burri dhe dy djemtë e saj kishin humbur jetën.

Zyrtarët e pyjeve sqarojnë se elefanti është mashkull, i ri dhe shumë i lëvizshëm, duke ndërruar shpesh pozicion sidomos gjatë natës, gjë që e bën të vështirë lokalizimin e tij. Dyshohet se kafsha ndodhet në fazën e çiftëzimit, periudhë gjatë së cilës elefantët meshkuj bëhen më agresivë për shkak të rritjes së nivelit të testosteronit. Kjo gjendje zakonisht zgjat 15–20 ditë. Një tjetër mundësi është që elefanti të jetë shkëputur nga tufa e tij.

Aktualisht, autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi, ku janë angazhuar mbi 100 punonjës të shërbimeve pyjore.

Incidentet me elefantë janë shtuar vitet e fundit në këtë rajon dhe lidhen kryesisht me shkatërrimin e habitatit natyror, zvogëlimin e sipërfaqeve pyjore dhe zgjerimin e aktivitetit njerëzor pranë korridoreve natyrore të lëvizjes së elefantëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related