Në një deklaratë për mediat, Eno Bozdo ka akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor për neglizhencë totale në menaxhimin e situatës së përmbytjeve, duke theksuar se dëmet e shkaktuara nuk janë vetëm pasojë e kushteve atmosferike, por kryesisht e keqmenaxhimit institucional.
Sipas Bozdos, qindra hektarë tokë janë përmbytur në Kuçovë, veçanërisht në zonat Kozarë, Salcë-Kozarë dhe Ferras, si rezultat i hapjes pa paralajmërim të portave shkarkuese të hidrocentralit të Banjës. Ai theksoi se banorët janë gdhirë papritur përballë ujit, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa mundësi për të marrë masa për të minimizuar dëmet.
Bozdo deklaroi se procedurat ligjore për menaxhimin e shkarkimeve nuk janë zbatuar, duke u shkelur Rregullorja e Digave. Sipas tij, shkarkimet pjesore duhej të kishin nisur prej ditësh, pasi parashikimet e motit tregonin reshje intensive gjatë gjithë javës. Ai akuzoi Bashkinë Kuçovë për paaftësi dhe mungesë reagimi, duke nënvizuar se institucionet vendore kishin detyrimin ligjor të njoftonin banorët.
“Qindra e ndoshta mijëra hektarë tokë janë përmbytur dhe qindra familje e fermerë kanë pësuar dëme të rënda ekonomike nga kjo fatkeqësi jo aq natyrore. Kjo situatë ishte e parashikueshme dhe e menaxhueshme, nëse do të funksiononin hallkat e qeverisjes qendrore dhe vendore”, u shpreh Bozdo.
Ai shtoi se, për momentin, në terren nuk ka ndihmë konkrete për banorët e prekur, përveç premtimeve. Duke rikujtuar përmbytjet e mëparshme në Dimal, Kuçovë dhe Berat, Bozdo akuzoi qeverinë se ka refuzuar kërkesat për dëmshpërblim të plotë për familjet dhe fermerët e dëmtuar.
Në përfundim, ai bëri thirrje për shpalljen e gjendjes së “Fatkeqësisë Natyrore” dhe kërkoi dëmshpërblim 100% për të gjithë qytetarët e prekur, duke paralajmëruar se po përgatitet një padi ligjore ndaj përgjegjësve për këtë situatë, e cila sipas tij është shkaktuar nga njeriu dhe jo nga natyra.
