Bota në prag të Luftës së Tretë? Diplomati Bimo: Retorika bërthamore po e shtyn botën drejt një përplasjeje globale

Data

Ish-ambasadori dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Roland Bimo, ka ngritur alarmin për situatën aktuale gjeopolitike, duke paralajmëruar se bota ndodhet shumë pranë një përplasjeje globale të paprecedentë. Në një analizë të thelluar, ai e krahasoi periudhën që po kalon sot njerëzimi me pragun e Luftës së Parë Botërore, duke theksuar se zhvillimet aktuale “ngjajnë si dy pika uji” me realitetin para vitit 1914.

Sipas Bimos, krizat e shumta që po ndodhin njëkohësisht – nga tensionet në Venezuelë, te situata në Atlantikun e Veriut me të ashtuquajturën “flotë hije”, si dhe pikat e nxehta në rajone të ndryshme të globit – po krijojnë një sinkronizim të rrezikshëm faktorësh që mund të çojnë drejt Luftës së Tretë Botërore.

Ai theksoi se ndryshimi thelbësor mes sot dhe vitit 1914 është ekzistenca e armëve bërthamore, të cilat paradoksalisht shihen si një faktor frenues. “Sa tragjike që tingëllon, ekzistenca e armëve bërthamore është shpresa”, u shpreh Bimo, duke sqaruar se frika nga shkatërrimi total ka shërbyer historikisht si pengesë për një konflikt të drejtpërdrejtë mes fuqive të mëdha.

Megjithatë, ai paralajmëroi se përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i retorikës bërthamore nga liderët botërorë është një sinjal jashtëzakonisht i rrezikshëm. Sipas tij, po shtohen shqetësueshëm zërat që flasin për “goditjen e parë bërthamore” dhe përpjekjet për supremaci strategjike, një skenar që do të kishte pasoja katastrofike për mbarë planetin.

Bimo e lidhi rritjen e tensioneve edhe me krizën e pritshme ekonomike dhe financiare në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2026 dhe më tej, duke theksuar se krizat e mëdha ekonomike historikisht kanë shërbyer si katalizatorë për konflikte ushtarake globale.

Ai nënvizoi se SHBA dhe Rusia, si dy fuqitë me arsenalin më të madh bërthamor në botë, mbajnë përgjegjësinë kryesore për garantimin e vazhdimësisë së jetës në Tokë. Sipas tij, pavarësisht provokimeve apo presioneve nga qarqe radikale brenda të dy kampeve, asnjëra palë nuk duhet të lejojë një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak.

Një tjetër aspekt shqetësues i analizës së tij ishte përçarja gjithnjë e më e thellë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, të cilët historikisht kanë qenë shtyllat kryesore të stabilitetit global dhe të NATO-s. Sot, sipas Bimos, këto dy blloqe po pozicionohen gjithnjë e më shpesh në anë të kundërta, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë.

Në përfundim, ish-ambasadori theksoi se, ndryshe nga perceptimi i përhapur, SHBA dhe Rusia sot kanë më shumë interesa të përbashkëta sesa në të kaluarën, ndërsa tensionet me Bashkimin Europian po thellohen. Ai kujtoi se historikisht, me përjashtim të periudhës së Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet SHBA–Rusi kanë qenë kryesisht pozitive, duke paralajmëruar se dështimi për të nxjerrë mësime nga historia mund ta çojë botën drejt një rruge pa kthim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related