Europa e mbërthyer nga acari dhe stuhitë, 13 viktima nga moti ekstrem

Data

Europa po përjeton një nga valët më të forta të motit ekstrem të viteve të fundit, me temperatura rekord, reshje masive dëbore dhe stuhi të fuqishme ere, që deri më tani kanë shkaktuar humbjen e jetës së 13 personave në vende të ndryshme të kontinentit.

Temperaturat kanë zbritur në nivele historike, ku në disa zona të Italisë termometri ka shënuar deri në -23 gradë Celsius, ndërsa në Finlandë janë regjistruar temperatura ekstreme deri në -42 gradë. Sipas të dhënave satelitore europiane, rreth 80% e territorit të Europës është aktualisht i mbuluar nga bora, niveli më i lartë që nga viti 2010.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm në Europën Veriore dhe Perëndimore. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, stuhia e fuqishme e ditëve të fundit ka sjellë erëra që kanë arritur deri në 216 km/orë, duke detyruar anulimin e qindra fluturimeve, ndërprerjen e transportit hekurudhor dhe lënien pa energji elektrike të mijëra banesave. Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në Gjermaninë Veriore dhe në disa shtete të Europës Qendrore dhe Lindore.

Në Itali, autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë shpallur alarm të verdhë në pesë rajone, duke paralajmëruar rrezik nga temperaturat shumë të ulëta, reshjet intensive të dëborës dhe ngricat e rrezikshme në akset rrugore.

Ndërkohë, reshjet e dendura dhe stuhitë kanë sjellë përmbytje edhe në Ballkanin Perëndimor, duke paralizuar qarkullimin dhe duke shkaktuar probleme serioze në furnizimin me energji elektrike në disa zona të rajonit.

Teksa Europa përballet me acarin ekstrem, në anën tjetër të globit situata paraqitet po aq dramatike. Australia është goditur nga ciklone dhe zjarre masive, të cilat kanë lënë mijëra banorë pa energji elektrike dhe kanë shkrumbuar mbi 300 mijë hektarë tokë, përfshirë rreth 130 banesa dhe biznese. Autoritetet i kanë cilësuar këto zjarre si më të rëndat që nga “Vera e Zezë” e viteve 2019–2020.

Ekspertët paralajmërojnë se këto fenomene ekstreme janë tregues i qartë i pasojave të ndryshimeve klimatike, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve dhe autoriteteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related