Përmbytje në disa zona të Kosovës, disa komuna shtyjnë rinisjen e mësimit

Data

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa pjesë të Kosovës, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banesa dhe infrastrukturë. Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njoftoi se situata është monitoruar gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, ndërsa me nisjen e reshjeve të borës rreziku nga përmbytjet pritet të zbutet gradualisht.

Si pasojë e situatës, Komuna e Malishevës ka vendosur të shtyjë për dy ditë rinisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës, e cila do të nisë më 14 janar, për arsye sigurie.

Në Mitrovicë është shënuar rritje e nivelit të lumenjve, me rrezik që lumi Sitnica të dalë nga shtrati. Për këtë arsye është kërkuar angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë duke ndërtuar rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli, duke parandaluar përkeqësimin e situatës.

Në Pejë, pesë banesa janë vënë në rrezik nga përmbytjet dhe është ndërhyrë në kohë, ndërsa rruga për në Rugovë mbetet e kalueshme, por me kujdes. Aksi drejt Kullës, që çon për në Mal të Zi, lejohet vetëm për automjete të lehta.

Në Gjakovë është raportuar situatë e qetë, megjithëse një rrugë në fshatin Vogovë u bllokua përkohësisht për shkak të shembjes së dheut. Në Prishtinë, përmbytje janë shënuar në zonën e Qagllavicës dhe në nënkalime, kryesisht si pasojë e bllokimit të kanalizimeve.

Përmbytje janë raportuar gjithashtu në Fushë-Kosovë, Obiliq, Drenas, Graçanicë, Lipjan, Podujevë dhe Shtime, ndërsa në disa komuna të tjera rrugët raportohen të kalueshme dhe pa nevojë për ndërhyrje emergjente.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa dëmet në pronën private dhe infrastrukturë po vlerësohen nga strukturat përkatëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related