Kushtet e rënduara atmosferike dhe dimri i ashpër po e bëjnë jetën gjithnjë e më të vështirë për banorët e zonave të thella malore. Në lagjen Gjuta të Shishtavecit në Kukës, rreth 70 banorë jetojnë prej më shumë se një viti të izoluar, pas shkatërrimit të urës që lidh zonën me pjesën tjetër të fshatit.
Si zgjidhje të përkohshme, banorët janë detyruar të përdorin një urë provizore, e cila paraqet rrezik serioz për jetën, sidomos gjatë reshjeve të shiut dhe dëborës. Kalimi mbi këtë urë improvizuar është bërë një sfidë e përditshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.
Situata ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në arsim, pasi 10 nxënës nga kjo lagje janë penguar të ndjekin rregullisht shkollën. Ata duhet të ecin mbi 30 minuta për të arritur në shkollat e fshatrave Shishtavec dhe Novosej, duke rrezikuar jetën gjatë kalimit.
Banorët shprehen se izolimi përsëritet sa herë ka reshje, ndërsa kujtojnë edhe premtimin e pambajtur për rindërtimin e urës, e cila u shkatërrua një vit më parë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi ura e improvizuar mbetet e vetmja rrugë kalimi, jo vetëm për jetën e përditshme, por edhe për raste emergjente shëndetësore.
Në këtë zonë të thellë malore, mungesa e infrastrukturës po e kthen përditshmërinë në një betejë për mbijetesë.
