Banorët e fshatit Bashaj, në Vlorë, janë detyruar të marrin vetë situatën në dorë, duke hapur rrugën me kazma dhe lopata, pasi prej katër ditësh kanë mbetur plotësisht të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit. Shkak për izolimin është bërë shembja e një masivi të madh dheu nga mali, që ka bllokuar totalisht aksin rrugor.
Rreth 250 banorë, përfshirë mbi 70 familje, kanë mbetur pa asnjë lidhje rrugore, duke u përballur me vështirësi serioze për furnizimin me ushqime, shërbime shëndetësore dhe lëvizjen e përditshme. Situata paraqitet edhe më shqetësuese për të moshuarit dhe familjet me fëmijë të vegjël.
Mëngjesin e sotëm, banorët janë organizuar mes tyre dhe kanë nisur punën për të hapur një kalim minimal, fillimisht për këmbësorë dhe në rast nevoje për mjete emergjence. Ata shprehen se po punojnë me mjete primitive dhe pa asnjë mbështetje teknike, ndërsa rreziku nga rrëshqitje të tjera mbetet i pranishëm.
Sipas banorëve, deri në këto momente nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave të përsëritura për ndihmë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për hapjen e plotë të rrugës dhe rikthimin e normalitetit në zonë, duke theksuar se izolimi i zgjatur po e bën jetën e përditshme të papërballueshme.
