Një aksident i rëndë rrugor në aksin Peqin–Elbasan i ka marrë jetën një 43-vjeçari, duke kthyer ngjarjen në një tragjedi për familjen dhe të afërmit e tij.
Viktima është Mareglent Asllani, i njohur nga miqtë si Mario. Aksidenti ndodhi katër ditë më parë, kur automjeti me të cilin udhëtonte u përplas me një mjet tjetër. Si pasojë e përplasjes, ai mbeti i plagosur rëndë, ndërsa një vajzë 26-vjeçare u lëndua dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
43-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku qëndroi për disa ditë në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur familjarët, miqtë dhe të njohurit, të cilët e kujtojnë si një njeri të dashur, energjik dhe plot jetë.
