Një tërmet me magnitudë 5.1 ballë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në brigjet e Kalabrisë. Sipas të dhënave paraprake, lëkundjet sizmike u shënuan rreth orës 05:53 dhe u ndjenë në disa zona të jugut të Italisë.
Tërmeti është ndjerë veçanërisht në Reggio Calabria, Messina, si dhe në pjesë të tjera të Kalabrisë dhe Siçilisë, duke shkaktuar shqetësim te banorët, por pa pasoja serioze.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, epiqendra e tërmetit ka qenë pranë bregdetit të detit Jon, në një thellësi rreth 65 kilometra.
Deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.
