Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi hetimet që po zhvillon Prokuroria e Durrësit lidhur me përmbytjet e fundit në qytet dhe humbjen e jetës së një punëtori të komunales.
E ftuar në një emision televiziv, Lala bëri të ditur se viktima, Astrit Hysenaj, kishte dalë në shërbim për të kryer verifikime në terren gjatë situatës së rënduar nga reshjet e shiut, por nuk u kthye më. Pas humbjes së kontaktit, në kërkime u angazhuan forcat RENEA dhe trupi i tij u gjet më pas pa shenja jete.
Sipas Lalës, prokurorja Seula Beluli ka çelur një procedim penal për këtë rast, duke e konsideruar Hysenajn viktimën e parë nga përmbytjet në Durrës. Hetimi përfshin disa vepra penale, mes tyre “shpërdorim detyre” ndaj disa personave përgjegjës, si edhe “vdekje nga pakujdesia”.
Një nga pistat kryesore të hetimit, sipas Prokurorisë së Durrësit, lidhet me hidrovorin e ri të qytetit, për të cilin janë investuar rreth 19 milionë euro. Sipas hetuesve, ky hidrovori nuk ka funksionuar dhe, në vend që të ndihmonte, ka përkeqësuar situatën e përmbytjeve.
Bilanci i dëmeve nga përmbytjet është i rëndë: mbi 1 mijë banesa janë dëmtuar, rreth 500 persona janë evakuuar, ndërsa shumë prona dhe biznese të qytetarëve janë shkatërruar. Hetimet pritet të thellohen për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete institucionale dhe individuale për këtë situatë.
