Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur alarmin për atë që e cilëson një nga rreziqet më serioze strategjike për Shqipërinë: humbjen funksionale të Portit të Durrësit dhe përballjen me një arbitrazh ndërkombëtar me pasoja të rënda financiare.
Në një intervistë televizive, Ahmetaj deklaroi se projekti i Porto Romanos është i mbushur me probleme proceduriale, financiare dhe juridike, duke e cilësuar dosjen si “shumë të rëndë”. Sipas tij, qeveria po fsheh të vërtetën nga publiku, ndërsa vendi rrezikon të mbetet pa port funksional.
Ahmetaj shpjegoi se kontrata e përdorur është e tipit FIDIC, një formë kontrate pa tavan financiar, e cila nis me një fond limit por rritet vazhdimisht gjatë zbatimit për shkak të “punëve shtesë”. Sipas tij, kjo tregon se projekti ka mangësi serioze që në themel.
Ai bëri publike ekzistencën e një MEMO-je zyrtare, të firmosur nga drejtori i Portit të Durrësit dhe specialistë të institucionit, ku evidentohen mangësi të theksuara në projekt. Megjithatë, sipas Ahmetajt, pavarësisht këtyre vërejtjeve, është dhënë urdhër që pagesat të kryhen.
Një tjetër problem serioz, sipas ish-zv/kryeministrit, është konflikti i interesit. Kompania holandeze që ka projektuar portin është bërë njëkohësisht edhe menaxhuese e projektit, duke marrë për këtë rol rreth 13 milionë euro. Ahmetaj theksoi se në asnjë vend normal detyrat funksionale të administratës shtetërore nuk i delegohen projektuesit dhe menaxhuesit privat të projektit.
Ai shtoi se ka edhe konflikt interesi me kompani shqiptare, ku të njëjtët aktorë janë përfshirë si në projektim ashtu edhe në menaxhimin e projektit. Sipas Ahmetajt, kjo nënkupton se privatëve u është dhënë e drejta të aksesojnë sistemin, të bëjnë vlerësime dhe praktikisht të vendosin fituesit, një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit të prokurimeve.
Ahmetaj paralajmëroi gjithashtu se porti i ri parashikohet të ketë kapacitete më të vogla se porti aktual i Durrësit. Sot porti ekzistues ka katër terminale dhe rreth 2 mijë metra linear kalata, si dhe përpunon deri në 1.5 milionë pasagjerë në vit, ndërsa porti i ri parashikohet të arrijë maksimumi 1 milion pasagjerë.
Alarmi më i madh, sipas tij, lidhet me kërkesën e kompanisë së Alabarit për lirimin e “Portës 4”. Ahmetaj tha se nëse kjo portë lirohet, Shqipëria mbetet praktikisht pa port funksional. Nëse qeveria refuzon, kompania ka të drejtë t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar, çka mund të sjellë pasoja shkatërruese financiare për shtetin shqiptar.
“Jemi përballë një rreziku përtej financave. Jemi përballë rrezikut real që Shqipëria të mbetet pa port,” theksoi Ahmetaj, duke shtuar se kontrata aktuale e vendos shtetin në një pozitë jashtëzakonisht të dobët përballë investitorit.
