E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme me kryeprokurorin e SPAK, Klodjan Braho. Gjatë takimit, ajo rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-ve për punën e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.
VanHorn përcolli mesazhin se prioritet i politikës amerikane mbetet përballja me kartelet e drogës dhe rrjetet e krimit të organizuar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë drejtim. Ajo shprehu gjithashtu mbështetje për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesin e ri të saj, Joni Keta.
Në kuadër të vizitës, VanHorn zhvilloi edhe takime të tjera me përfaqësues të drejtësisë, përfshirë ish-kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, si dhe prokurorë të tjerë, duke nënvizuar vazhdimësinë e angazhimit amerikan për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
