Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e premte kabinetin qeveritar, grupin parlamentar të Partisë Socialiste si dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, në një takim të formës “retreat”, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, në orën 10:00.
Në këtë mbledhje, ministrat pritet të raportojnë për arritjet e vitit të kaluar dhe objektivat për vitin 2026, ndërsa Rama do të japë direktivat për prioritetet e qeverisë dhe të shumicës parlamentare. Takimi është një praktikë rutinë që zhvillohet çdo janar dhe ka si qëllim koordinimin e punës mes ekzekutivit dhe legjislativit.
Takimi do të mbahet me dyer të mbyllura dhe, ashtu si herët e tjera, qeveria nuk pritet të japë detaje mbi diskutimet e zhvilluara. Më herët gjatë ditës së sotme, në selinë e Partisë Socialiste, sekretari i përgjithshëm Blendi Klosi mblodhi drejtuesit e qarqeve në takimin e parë për vitin 2026, fokusuar në organizimin partiak dhe çështje të brendshme. Ky takim u zhvillua pa praninë e kryeministrit Rama.
Takimet e mazhorancës do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Më 16 janar është planifikuar një tjetër mbledhje e grupit parlamentar të PS, e cila pritet të drejtohet personalisht nga Edi Rama dhe jo nga kryetari i grupit, Taulant Balla. Ky do të jetë takimi i dytë i Ramës me deputetët brenda një periudhe të shkurtër, pas atij të zhvilluar rreth tri javë më parë në Kryesinë e Kuvendit.
Burime bëjnë me dije se deputetët pritet të marrin porosi të reja nga kreu i qeverisë, ndërsa më herët atyre u është kërkuar të intensifikojnë daljet në terren dhe takimet me qytetarët në zonat që përfaqësojnë.
