Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn për të penguar drejtësinë dhe procedurat që lidhen me heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se Rama është i frikësuar nga zhvillimet në hetimet penale, pasi sipas tij në dosjen “Balluku” del drejtpërdrejt edhe emri i kryeministrit.
“Rama është i tmerruar, sepse në çdo rresht të dosjes Balluku lexon emrin e tij. De facto, pas Ballukut qëndron Rama dhe për këtë arsye ai po bën gjithçka për të bojkotuar drejtësinë,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se po përdor institucionet e drejtësisë në funksion të interesave personale dhe politike, duke ushtruar presion mbi prokurorinë për çështjet që lidhen me Ballukun dhe AKSHI-n.
Sipas Berishës, qëllimi i Ramës është të mbrojë persona të afërt me të, duke shmangur shpalljen në kërkim të individëve të përfshirë në afera të rënda korruptive. Ai shtoi se kryeministri ka humbur çdo interes për qytetarët dhe se veprimet e tij janë të fokusuara vetëm në mbrojtjen e rrethit familjar dhe politik.
“Nuk ka më asnjë interes për qytetarët shqiptarë. Interesi i tij i vetëm është mbrojtja e klanit të tij,” u shpreh Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen për t’i dhënë fund, sipas tij, kapjes së shtetit nga një “klan mafioz” dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë.
