“Nga ora 2 e natës ranë muret”, banori nga Vajza: Shpëtuam për një qime

Data

Një situatë e rëndë është regjistruar në fshatin Vajzë, ku si pasojë e rrëshqitjes së dheut janë dëmtuar dy banesa, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.

Një nga banorët e prekur ka rrëfyer se ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës, kur papritur nisën të shemben muret e jashtme të shtëpisë.

“Nga ora 2 e natës ranë muret e jashtme. U ngritëm menjëherë dhe dhamë alarmin. Nxorrëm bagëtitë dhe shpëtuam për një qime. Shtëpia është në rrezik të shembet nga momenti në moment. Askush nuk guxon të futet brenda për të marrë diçka,” tregoi banori.

Ai theksoi se banesa ishte ndërtuar vetëm tre vite më parë dhe se familja ka mbetur pa asnjë zgjidhje. Sipas tij, në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe përfaqësues të bashkisë, por deri tani nuk ka pasur një përgjigje konkrete për ndihmë apo dëmshpërblim.

Banorët e zonës shprehen se kanë njoftuar autoritetet për situatën dhe se ndihen të rrezikuar, pasi edhe banesa të tjera mund të rrëshqasin. Ata thonë se kjo nuk është hera e parë që përballen me këtë problem dhe se masat e marra deri tani kanë qenë të pamjaftueshme.

Familjet e prekura bëjnë apel për ndërhyrje urgjente, strehim të përkohshëm dhe dëmshpërblim, duke kërkuar mbështetje konkrete nga institucionet shtetërore për të përballuar pasojat e kësaj situate të rrezikshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related